Tahiri: Osmani ka pasur qasje të njëanshme, mbështesim dikë që s’përfaqëson vetëm një parti qoftë nga pozita apo opozita

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, është deklaruar për çështjen e presidentit, duke thënë se kjo parti e mbështet dikë që nuk e përfaqëson vetëm një parti politike, qoftë ajo pozitë ose e opozitës.
Tahiri për media, ka deklaruar edhe se, partia pjesë e të cilës është ai e mbështet dikë që ka integritet vendor dhe ndërkombëtar, dhe, që ‘’ka kontribute dhe është intelektual’’, përcjell Express.
‘’Qasja ka qenë me fol në standarde në parime pa emra të përveçëm, pra nuk është se është përmend dikush i përveçëm. Kemi thanë se i bën i nder vendit, dhe PDK e mbështet dikë që nuk e përfaqëson veç një parti politike, veç pozitën ose veç opozitën. Dikush që ka integritet edhe vendor edhe ndërkombëtar, dikush që ka kontribute dhe është intelektual’’’, ka thënë ai.
Tutje, Tahiri ka deklaruar se PDK është e gatshme me shku edhe në zgjedhje në nuk mund të zgjidhet presidenti, dhe se, kjo parti s’është e interesuar për marrëveshje politike.
‘’Vullnet i PDK është që me kontribu në interes të institucioneve të vendit dhe shoqërisë, por nëse nuk ka me mujt me u gjend dikush dhe nëse nuk ka me pas disponim prej forcës kryesore politike, PDK është e gatshme gjithashtu me shku në zgjedhje. PDK nuk është e interesuar për marrëveshje politike, është e interesuar me pas qasje proaktive, pozitive, mbështetëse për institucione’’, ka shtuar ai.
Sa i përket presidentes Vjosa Osmani, dhe zgjedhjes së saj për një mandat të dytë, ai ka vlerësuar se ‘’nuk i bën nder vendit dikush që ka pasur qasje të njëanshme’’.
‘’Mendoj që vendit nuk i bën nder dikush që ka pas qasje të njëanshme dje, dikush që e përfaqëson veç një grup ose subjekt. Në këtë nivel jemi tu fol në parime dhe standarde, por nëse është e nevojshme dhe e arsyeshme dhe kërkohet, padyshim që PDK do të nxjerrë edhe emra”’’, ka thënë ai./Periskopi/
