Kërkohet paraburgim ndaj dy punëtorëve të KEDS’it të dyshuar për ryshfet, Prokuroria jep detaje

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se ka kërkuar paraburgim ndaj dy personave të dyshuar për veprën penale ‘’pranim i ryshfetit në sektorin privat’’.
Në njoftim shtohet se të dyshuarit, janë B.B nga Prishtina, dhe E.K nga Obiliqi.
Në komunikatën e prokurorisë bëhet e ditur se, të dyshuarit, punëtorë të KEDS’it, i kanë kërkuar 400 Euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njehsori elektrik do t’i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do duhet të ndanin ndërmjet katër personave, me ç’rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës,
Komunikata:
Kërkohet paraburgim ndaj dy të pandehurve për veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat”
Ferizaj, 26 Shkurt 2026 – Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve: B.B., – Prishtinë dhe E.K.,- Obiliq, për shkak të dyshimit të veprës penale “Marrja e ryshfetit në sektorin privat” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria, ekziston dyshimi i bazuar se më 25.02.2026, rreth orës 14:30, në Ferizaj, rruga, “Dëshmorët e Kombit”, përkatësisht në KEDS, i pandehuri B.B., në cilësinë e koordinatorit të njësisë së kontrollit në Departamentin për humbje të energjisë elektrike, dhe i pandehuri E.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së koordinatorit për lidhje të reja, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre lidhur me ofrimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë i kanë kërkuar shumën prej 400 Euro të dëmtuarit A.H., me arsyetimin se njehsori elektrik do t’i vendoset brenda një jave në lokalin e tij, në të kundërtën do të duhet të pres pesë deri në gjashtë muaj për vendosjen e njehsorit elektrik, si dhe këtë shumë të hollash do duhet të ndanin ndërmjet katër personave, me ç’rast pas zbatimit të masave të veçanta hetimore, të njëjtit janë kapur dhe arrestuar në flagrancë nga ana e Policisë së Kosovës, me të cilat këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pranimi i rryshfetit në sektorin privat: nga neni 309 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Dy të pandehurit, që nga data 25 Shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur.
