AGK-ja dënon sjelljen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri ndaj gazetares

AGK-ja dënon sjelljen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri ndaj gazetares

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e konsideron të papranueshme dhe e dënon ashpër sjelljen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndaj gazetares së “Betimi për Drejtësi”, Shpresë Hasimi.

Në pamjet e transmetuara në emision, Muhaxheri (LDK) dëgjohet duke i thënë gazetares “Baju” me nervozizëm dhe duke përplasur derën e veturës zyrtare në të cilën hyn.

Kjo ndodhi pasi gazetarja i kishte bërë një seri pyetjesh lidhur me dyshimet për kurdisje në këmbimin e një prone milionëshe në Komunën e Pejës. Muhaxheri nuk i ishte përgjigjur kërkesës zyrtare për intervistë me ekipin në zyrën e tij.

AGK-ja e fton zotin Muhaxheri të kërkojë falje për fjalorin dhe sjelljen e papërshtatshme ndaj ekipit të gazetarëve. AGK-ja gjithashtu e fton kryetarin të ofrojë transparencë të plotë ndaj kërkesave të gazetarëve për raportim mbi tema me interes publik.

Zyrtarët e lartë, si në nivel shtetëror ashtu edhe në atë lokal, duhet të respektojnë punën e rëndësishme të gazetarëve dhe ligjin për ofrimin e informacioneve mbi vendimet që marrin, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti