BE-ja paralajmëron pasoja të paparashikueshme nga përshkallëzimi i situatës në Iran

Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian thanë se ngjarjet në Iran, nuk duhet të çojnë në një përshkallëzim që mund të rrezikojë Lindjen e Mesme, Evropën dhe më gjerë me pasoja të paparashikueshme, përfshirë edhe në sferën ekonomike.
Në një deklaratë të nënshkruar në emër të të gjithë BE-së nga shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, thuhet se ministrat zhvilluan një takim të jashtëzakonshëm nëpërmjet video-lidhjes, për të diskutuar situatën në Iran dhe në të gjithë Lindjen e Mesme, pas aksionit ushtarak të SHBA-së.
“BE-ja shpreh solidaritetin e saj me partnerët që janë sulmuar ose prekur. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në të gjitha përpjekjet diplomatike për të ulur tensionet dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, për të penguar Iranin që të pajiset me armë bërthamore”, shkroi mes tjerash Kallas në X.
Kallas kujtoi se BE-ja ka miratuar tashmë sanksione të gjera, në përgjigje të veprimeve të autoriteteve iraniane, dhe se është e gatshme të mbrojë sigurinë dhe interesat e bllokut, përfshirë edhe përmes sanksioneve shtesë.
Ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të BE-së bënë thirrje për përmbajtje maksimale, mbrojtje të civilëve dhe respekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
“Lindja e Mesme do të humbasë shumë nga çdo luftë e zgjatur. Sulmet dhe shkeljet e sovranitetit të shumë vendeve në rajon nga ana e Iranit janë të pafalshme”, thuhet në deklaratën e lëshuar në fund të takimit ministror.
Me rëndësi të madhe, sipas ministrave të Jashtëm evropianë, është ruajtja e sigurisë detare dhe respektimi i lirisë së lundrimit.
Ata nënvizuan nevojën për të shmangur mbylljen e rrugëve të rëndësishme ujore, siç është Ngushtica e Hormuzit.
Ministrat diskutuan edhe për evakuimin e qytetarëve evropianë në Iran dhe në territoret e vendeve të prekura nga sulmet iraniane.
Mijëra qytetarë evropianë mbeten të bllokuar në Iran dhe në të gjithë rajonin, për shkak të anulimeve të shumta të fluturimeve në aeroportet kryesore rajonale. /REL
