Dyshime për pastrim parash, Prokuroria e Pejës ngrit aktakuzë

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.V, për veprën penale “Pastrim i parave”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se: “Sipas aktakuzës, i pandehuri A.V., me datë 26 shtator 2019 në Pejë, duke qenë në dijeni se pasuria e caktuar buron nga ndonjë formë e aktivitetit kriminal, transferon pasurinë me qëllim të fshehjes apo të maskimit të natyrës apo burimit, deponon në bankë shumën prej 50.000 euro kinse nga shitja e shtëpisë dhe merr kredi bankare në shumën prej 20.000 euro, ku të gjitha të hollat, i transferon në dy llogari bankare të shitësve A.Ll dhe A.Ll në shumë totale prej 70.000 mijë euro, me të cilët lidh edhe kontratë, e që në fakt nga shitja e shtëpisë nuk pranon asnjë të hyrë”.
Tutje në njoftim thuhet se me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar si më lartë.
Ndryshe, prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallën fajtor dhe të dënoj sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.
