Raportohet se dy të rinj mitrovicas vdiqën në një aksident trafiku në Itali

Një aksident i rëndë trafiku me pasoja fatale ka ndodhur të premten në Milano të Italisë. Sipas “Mitropol” , në këtë aksident e kanë humbur jetën dy të rinj nga Mitrovica, percjell Periskopi.
Sipas informacioneve fillestare aksidenti ka ndodhur të premtën, rreth orës 15:40 në autostradën A4 në drejtim të Triestes. Ata po udhëtonin me makinë, me gjasë drejt kufirit slloven, kur u përplasën me shpejtësi të lartë me një kamion që transportonte mallra të ndryshme.
Ngadalësimi i papritur i mjetit të rëndë dyshohet se mund të ketë qenë shkaku i përplasjes nga pas. Ajo që dihet me siguri është se makina e kosovarëve Volkswagen Gold me targa polake nuk arriti të ndalonte në kohë dhe u përplas me kamionin, duke përfunduar e shtypur nën të. Dy të rinjtë në automjet humbën jetën pothuajse në vend.
Përplasja tragjike, në drejtim të Triestes, ndodhi në lartësinë e San Stino di Livenza. Autostrada A4 u mbyll menjëherë nga personeli i Autostrade Alto Adriatico pas aksidentit të rëndë. Ishin pak minuta pas orës 16:00.
U mbyll hyrja në nyjën e San Stino di Livenza në drejtim të Portogruaro. Në vendngjarje u ul helikopteri i emergjencës nga Treviso dhe mbërriti policia rrugore e San Donà për kryerjen e matjeve, me komandantin Luigi Aversano në vend së bashku me patrullën dhe agjentët e njësisë së San Donà.
Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit me ekipet nga Portogruaro dhe Motta di Livenza, si dhe autovinçi nga Mestre, i cili u bë i nevojshëm për ngritjen e mjetit të rëndë dhe nxjerrjen e makinës së mbetur të bllokuar dhe të shkatërruar plotësisht nga përplasja.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të shpëtimit, për dy shtetasit kosovarë në makinë nuk kishte asgjë për t’u bërë: të dy u shpallën të vdekur nga personeli shëndetësor i Suem 118 që mbërriti në autostradë.
Familjet e viktimave janë njoftuar sot për aksidentin fatal.
Rrethanat e sakta të aksidentit mbeten ende nën hetim nga autoritetet kompetente italiane, të cilat po punojnë për të sqaruar shkakun që çoi në tragjedi.
