Flutura Kusari reagon ndaj sjelljes së Gazmend Muhaxhirit me gazetaren: E papranueshme dhe e rrezikshme për lirinë e medias

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas publikimit të një video ku gazetarja e mediumit “Betimi për Drejtësi”, Shpresa Hasimi, i parashtron një pyetje Kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, lidhur me një çështje me interes publik.
Kusari përmes një postimi në rrjetin social Facebook e ka vlerësuar gazetaren për profesionalizëm dhe guxim, duke ftuar publikun ta shohë videon për të kuptuar sjelljet e Kryetarit të Pejës.
“Para dy ditësh, gazetarja e ‘Betimi për Drejtësi’, Shpresa Hasimi, i parashtroi disa pyetje profesionale kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxhiri, për një çështje me interes publik.Fillimisht, ju ftoj të gjithëve që nuk e keni parë videon, ta shihni se çfarë do të thotë një gazetare grua e përgatitur mirë, trimëreshe dhe e guximshme, të cilën një njeri me pushtet si Gazmendi nuk arrin ta intimidojë. Sjellja e Shpresës duhet të merret shembull në gazetari dhe, mua personalisht, më ka inspiru tej mase. Së dyti, ai i drejtohet gazetares me ‘ec, baju’ dhe ia përplas derën e veturës, demek nuk të japi ty llogari”, ka shkruar ajo, raporton Periskopi.
Kusari në reagim ka pëmendur edhe raste konkrete, duke pëmendur kryetarin e Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhirin dhe kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhikun për gjuhën e përdorur ndaj mediave.
“Sjellja e papranueshme dhe e rrezikshme e Gazmend Muhaxhirit duhet të shihet në kontekst të qasjes së LDK-së ndaj gazetarëve. Shihni se çfarë po bën Lumir Abdixhiku, i cili me gjuhën e tij ndaj mediave, sikur të kishte më shumë pushtet, do t’ia kishte kalu edhe këtyre të VV-së. Ai poashtu është politikani që i bojkoton mediat më së shumti nga të gjithë politikanët në opozitë”, thuhet në postim.
Kusari thekson se vazhdon ta mbajë përgjegjëse Lëvizja Vetëvendosje për rënien në indeksin e lirisë së medias dhe për sulmet e denigrimet ndaj gazetarëve ndër vite.
“Pra, sigurisht që e mbaj VV-në përgjegjëse për rënien në indeksin e lirisë së medias, për sulmet dhe denigrimet që na i ka ba gazetarëve dhe neve aktivistëve, si dhe për frymën armiqësore që e ka ushqyer ndër vite kundër nesh”, ka shkruar ajo.
Megjithatë, ajo shton se është e bindur se edhe në rast se LDK do të ishte në pushtet, do të ndiqte të njëjtën qasje ndaj mediave.
“Por tashmë jam e bindur që, sikur LDK të ishte në pushtet, do ta përdorte të njëjtin “playbook” ndaj mediave”, ka shkruar Kusari.
Në fund, postimin Kusari e përmbyll reagimin me një vlerësim të shkurtër: “Shumë keq”.
Postimi i plotë:
