Bien të hyrat, rriten shpenzimet, thellohet hendeku financiar në vend

Të hyrat e Qeverisë së Kosovës kanë shënuar rënie në tremujorin e katërt (TM4) të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Të dhëna këto të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas ASK-së në TM4 2025, gjithsej të hyrat arritën në 920.4 milionë euro, ndërsa në TM4 2024 ishin 941.6 milionë euro, duke shënuar një rënie prej 21.2 milionë eurosh. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte (70,7 %), pasuar nga tatimet rrjedhëse në të ardhura (14,0 %) dhe aktivet dhe detyrimet financiare (6,2 %). Pjesa tjetër është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave.
Ndërkohë, shpenzimet e Qeverisë kanë shënuar rritje gjatë kësaj periudhe. Në TM4 2025 ato arritën në 1170.8 milion euro, ndërsa shpenzimet në TM4 2024 ishin 1134.0 milion Euro, duke u rritur për 36.8 milionë euro.
Struktura e shpenzimeve dominohet nga kontributet sociale dhe përfitimet (27,5 %), kompensimi i punëtorëve (20,2 %), formimi i kapitalit bruto (18,3 %) dhe konsumi i ndërmjetëm (13,5 %). Pjesa e mbetur e shpenzimeve është e shpërndarë në kategori të tjera buxhetore./Periskopi
