Çitaku: S’mund të propozojmë një emër vetëm për t’i siguruar kuorumin Kurtit, PDK nuk qëndron në sallë

Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka thënë se partia e saj ka ofruar zgjidhje dhe ka pasur vullnet politik për çështjen e presidentit, raporton Periskopi.
Ajo ka kërkuar se Presidenti i ri duhet të përfaqësoj unitetin qytetar, sipas saj, “PDK nuk propozon emër sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar dhe siguruar kuorumin Kurtit”.
“Mirëpo, çfarë është kërkuar nga ne është nënshtrim ndaj vullnetit politik të Kurti. Kurti ka fituar 50% të votave dhe për atë arsye qeveris i vetëm dhe udhëheq Kuvendin. Mirëpo, Presidenti i Republikës duhet të jetë një grua apo burrë që përfaqëson unitetin qytetar dhe, mbi të gjitha, i cili apo e cila do të ishte garantues i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Ne nuk mund të propozojmë një emër vetëm sa për të marrë pjesë dhe sa për t’i ofruar dhe siguruar kuorumin Albin Kurti. Ne kemi qenë të qartë, ne kërkojmë që Presidenti i ardhshëm të jetë produkt i një procesi politik, i dialogut dhe marrëveshjeve”, tha ajo.
Gazetarët e kanë pytetur deputetën e PDK’së se “a do të që qëndroni në sallë në momentin e votimit të Presidentit”?
Ajo e ka përsëritur se PDK nuk qëndron në sallë në momentin e votimit.
“Jo, jo, e kemi bërë të qartë, besoj tash e shumë kohë. Kosova ka nevojë për institucione, Kosova ka nevojë për stabilitet dhe është në dorën e zotit Kurti që të reflektojë. Imagjinojeni tash e sa muaj ne vijmë këtu, flasim për poste, për emra të përveçëm, kush do të jetë kryetar, kush do të jetë president. E në fakt ne do të duhej të ishim këtu për të shkarkuar bordin e ZRRE-së, do të duhej të ishim këtu për të folur për brengat dhe hallet e qytetarëve të Kosovës, e jo për egot e pushtetarëve”, tha ajo./Periskopi
