GLSP-ja kërkon emërim të sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, jo ushtrues detyre

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shprehur shqetësim për vazhdimin e praktikës së mbajtjes së pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit të Kosovës me ushtrues detyre, duke vlerësuar se një qasje e tillë dëmton stabilitetin institucional dhe profesionalizmin e administratës publike.
Në një reagim publik, GLPS thekson se fenomeni i ushtruesve të detyrës është përhapur në shumë institucione publike dhe ka pasoja në funksionimin e administratës.
“Rikujtojmë se një fenomen i tillë, i përhapur pothuajse në të gjitha kategoritë dhe institucionet publike, dëmton stabilitetin institucional, zvogëlon llogaridhënien dhe dobëson profesionalizmin e administratës publike”, thuhet në reagim.
Sipas GLPS-së, shkarkimi i ushtruesit të detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm një ditë më parë, i cili ishte edhe një nga kandidatët fitues të konkursit, në vend që të pasohej me emërim nga procesi i rekrutimit, paraqet praktikë shqetësuese për respektimin e procedurave në administratën publike.
Organizata bën të ditur se përmes iniciativës CorrWatch ka monitoruar të gjitha fazat e konkursit për këtë pozitë.
“Bazuar në monitorimin tonë të drejtpërdrejtë, procesi është zhvilluar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe nuk janë identifikuar shkelje që do të cenonin meritokracinë, profesionalizmin apo ligjshmërinë e procesit”, thuhet në reagim.
GLPS rikujton se pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit po ushtrohet për më shumë se dy vite nga ushtrues detyre, ndërsa procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar që në dhjetor të vitit 2024.
“Për ne mbetet shqetësues dhe absurd fakti që janë tejkaluar edhe afatet për mbajtjen e një pozite me ushtrues detyre duke shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, aq më shumë kur procesi i rekrutimit për këtë pozitë ka përfunduar me ligjshmëri të plotë”, thekson GLPS.
Sipas kësaj organizate, pozitat drejtuese në administratë duhet të mbrohen nga ndërhyrjet dhe politizimi.
“Pozita të tilla drejtuese duhet të mbrohen nga çdo ndërhyrje apo tendencë për politizimin e tyre, dhe çdo hap tjetër përveç emërimit nga procesi tashmë i përfunduar i rekrutimit përbën shkelje ligjore”, thuhet në reagim.
GLPS i bën thirrje Kryesisë së Kuvendit që të përfundojë procedurën e rekrutimit përmes emërimit të kandidatëve fitues.
“Çdo tendencë për të anashkaluar këtë proces të ligjshëm të rekrutimit është e pajustifikueshme dhe në kundërshtim me parimin e meritokracisë, si dhe cënon sigurinë juridike dhe të drejtat e kandidatëve. Mospreferenca ndaj kandidatëve fitues nuk përbën bazë ligjore për anashkalim të procesit të zhvilluar”, thuhet tutje në reagimin e GLPS-së.
