Kurdët gati për të luftuar kundër regjimit iranian – kanë vetëm një kusht për amerikanët

Kurdët gati për të luftuar kundër regjimit iranian – kanë vetëm një kusht për amerikanët

Ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë bombarduar objektiva në Iran për gjashtë ditë radhazi, po shtrohet pyetja nëse së shpejti do të dërgohen edhe forca tokësore.

Përgjigjja mund të jetë po, por nuk bëhet fjalë për ushtarë amerikanë. Grupet opozitare kurde iraniane në mërgim në veri të Irakut kanë zbuluar se prej dekadash kanë plane për të kaluar kufirin, por njëkohësisht mohojnë me vendosmëri pretendimet se luftëtarët e tyre e kanë bërë tashmë këtë.

“Ne jemi përgatitur për 47 vjet, që nga krijimi i Republikës Islamike”, tha Hana Yazdanpana nga Partia e Lirisë së Kurdistanit (PAK), e cila pretendon se ka forcën më të madhe të armatosur.

Megjithatë, ajo theksoi se “asnjë peshmergë nuk është lëvizur”. Fjala peshmergë në kurdisht do të thotë “ata që përballen me vdekjen”, shkruan bbc.Yazdanpana shpjegoi se gjashtë grupe opozitare, të cilat së fundmi kanë krijuar një koalicion, po koordinojnë veprimet e tyre politike dhe ushtarake. “Askush nuk vepron i vetëm”, tha ajo.

Ajo nuk pret që luftëtarët të nisin veprime këtë javë. Sipas saj, së pari SHBA duhet të përgatisë terrenin.

“Ne nuk mund të nisemi nëse hapësira ajrore mbi ne nuk është e sigurt. Duhet gjithashtu të shkatërrohen depot e armëve të regjimit. Përndryshe do të ishte vetëvrasje. Regjimi është jashtëzakonisht brutal, ndërsa arma më e avancuar që kemi është kallashnikovi”, shtoi ajo.

Yazdanpana kërkon që SHBA të vendosë një zonë ndalim-fluturimi për të mbrojtur luftëtarët kurdë.

Kurdët, populli i katërt më i madh etnik në Lindjen e Mesme, janë të shpërndarë mes Iranit, Irakut, Sirisë dhe Turqisë dhe kanë një histori të gjatë përndjekjesh dhe tradhtish./Periskopi

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti