Gruda: Dekreti i Osmanit në përputhje të plotë me Kushtetutën, Kuvendi dështoi të zgjedh presidentin

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Perparim Gruda, në një konferencë për media ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedhë Presidentin brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë dhe se, si rrjedhojë, shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese.
“Kuvendi i Kosovës ka konsumuar të drejtën e tij për të zgjedhur Presidentin brenda afatit kushtetues. Për pasojë, shpërndarja e tij dhe dekreti i Presidentes janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Gruda.
“Kompetenca për zgjedhjen e Presidentit nuk është diskrecionale, por një detyrim pozitiv kushtetues. Mosnisja e procedurës përbën një mosveprim kushtetues institucional që bllokon krijimin e një organi të shtetit”, deklaroi Gruda.
Sipas tij, interpretimi se Kuvendi mund të shmangë shpërndarjen duke mos e nisur fare procedurën e zgjedhjes së Presidentit është në kundërshtim me logjikën kushtetuese dhe me parimin e efektivitetit të Kushtetutës.
“Nëse pranohet se shpërndarja ndodh vetëm pas votimit të tretë, atëherë Kuvendi mund të mos e thërrasë kurrë seancën dhe të zgjasë mandatin përtej parashikimeve kushtetuese. Kjo bie ndesh me parimin e efektivitetit të Kushtetutës”, tha ai.
Gruda ka thënë se Osmani ka vepruar në përputhje me Kushtetutën.
“Presidentja ka vepruar tërësisht në përputhje me Kushtetutën duke ushtruar kompetencat e saj për shpërndarjen e Kuvendit dhe pritet që së shpejti të caktohet edhe data e zgjedhjeve”, përfundoi Gruda./Periskopi/
