Një litër naftë arrin gati 1.5 euro në Kosovë

Një litër naftë arrin gati 1.5 euro në Kosovë

Çmimet e naftës kohët e fundit po përballen me një rritje. Deri të shtunën, sipas naftëtarëve çmimet ishin nga 1.23€ deri në 1.44€ për dizel, ndërsa benzina nga 1.24€ deri në 1.34€. Kjo rritje po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Kjo rritje e çmimit po ia vështirëson edhe fitimin e të ardhurave mujore taksistit Nuha Rama, i cili thotë se shpesh nuk di nëse fitimin ditor ta ndajë për ta mbushur veturën me naftë apo për nevojat e tij personale.

“Rritja e çmimit ndikon, sepse kemi shumë shpenzime si taksistë. Punë nuk ka dhe çmimi i naftës është rreth 1 euro e 45 centë. Ne e kemi 2 euro startin për 1 kilometër e gjysmë. Nëse je në kolonë, pasagjeri zbret dhe thotë ‘s’kam më shumë, vetëm dy euro i kam’, ndërsa ne mbesim 3-4 orë në kolonë. Ne mezi presim të ndodhë diçka në botë në fatkeqësi të dikujt për t’i rritur çmimet. Unë, për shembull, nëse i marr 3, 4 apo 5 euro, çfarë të bëj me to a të qes naftë apo të blej diçka për shtëpi. Problem boll, por nuk kemi çfarë të bëjmë”, tha taksisti për KosovaPress, transmeton Periskopi.

Qytetari Akif Bllaca thotë se rritja e çmimeve të naftës dhe derivateve të saj ka një ndikim të madh në Kosovë, si një nga vendet më të varfëra në Evropë.

“Rritja e çmimeve të naftës për shtetet e pasura nuk ndikon shumë, por për shtete si i yni, që jemi më të varfër në Evropë, kjo ka ndikim të madh. Kjo lidhet edhe me çmime të tjera, si të bukës, miellit dhe gjitha të tjera. Me pensionet që kemi nuk e dimë si do t’ia dalim, se kerret i kanë ata të pasurit. A të ndikojë, ndikon drejtpërdrejt në ekonominë tonë, ato që nuk mund t’i përballojmë ne. Me naftën dhe me rrymën, të gjitha çmimet po shtrenjtohen”, tha Bllaca.

Ndërkaq, një qytetar tjetër, Hasan Ramadani, thotë se shtrënjtimi i naftës është e panevojshëm, pasi, sipas tij, ka rezerva të mjaftueshme për të mos u rritur çmimi edhe për rreth tre muaj.

“Këta naftëtarët kanë rezerva, po të duan mos ta rrisin, kanë rezerva bile me muaj së paku dy tre muaj. Por çdo ditë çmimi rritet rreth 10 centë për litër, tashmë ka arritur në 1.50 euro. Nëse vazhdon kështu mund të shkojë edhe 10 euro për litër…01:40.. Elektrika edhe nafta çdo gjë që ka në tokë kanë me e rrit, çdo vend ndikojnë në të gjitha fushat. Sepse nga nafta dhe elektrika jemi të varur, me fabrika, me punë me çka të thuash prej këtyre të dyjave jemi të varur”, tha Ramadani.

Sipas Fadil Berjanit, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, tregu i derivateve është ende i stabilizuar, por situata globale, si konflikti në Iran dhe tensionet në ngushticën e Hormuzit, rrezikon furnizimin.

“Arsyet e rritjes së çmimeve të naftës janë lufta në Iran, rritja e tensioneve, rreziku për ndërprerje të prodhimit dhe problemet në ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të kalimit të naftës në botë. Çdo problem në atë koridor reflektohet në tregjet globale dhe reflekton edhe te ne në Kosovë. Nëpër këtë koridor më parë kanë kaluar me qindra anije në ditë, por tani nuk kalojnë më shumë se 4 deri në 5 në ditë, dhe ato me rrezikshmëri të madhe”, tha ai.

Berjani tha se qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen, sepse në Kosovë ka mjaftueshëm derivate duke shtuar se në këto kohë krizash në Iran, qytetarët në Kosovë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion.

Ndërsa, shtrenjtimi i naftës dhe derivateve të saj ka filluar që nga nisja e tensioneve në Lindjen e Mesme, të cilën para disa ditësh e ka konfirmuar edhe vetë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve në Kosovë./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti