Pronari i lokalit vrau klientin- Çka dihet deri më tani për vrasjen në Gjakovë?

Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë.
Kjo është konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi, i cili tha se viktima ka vdekur në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij)”, tha ai.
Ndërkaq, për të plagosurin, Elezi tha se është dërguar për trajtim mjekësor dhe bëhet fjalë për 29-vjeçarin, Edi Mehmeti.
“Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor. Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes”, deklaroi ai.
Jozyrtarisht është raportuar se i dyshuar është pronari i një lokali të njohur në Gjakovë.
Prokuroria dhe Policia po merren intensivisht me hetimet e rastit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drin Domi.
Ai ka thënë se i dyshuari është identifikuar por ndodhet në arrati.
“Është inicuar rast për vepren penale “Vrasje e rëndë”. I dyshuari është identifikuar dhe është në arrati. Në vendin e ngjarjes ka dal Prokurori i Shtetit. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në IML”, ka thënë Domi.
