Juria dështon të marrë vendim për akuzën për shantazh në rastin e P Diddyt

Juria në gjyqin federal të Sean Diddy Combs për trafikim seksual dhe shantazh e përfundoi ditën pa një vendim.
Sipas mediave amerikane, juria nuk arriti të merrte një vendim për asnjërën nga pesë akuzat e aktakuzës, kështu që gjykatësi i këshilloi ata të vazhdonin shqyrtimin pas orës 13:00.
“Ju lutem kthehuni në dhomën e jurisë. Nëse vendosni që keni mbaruar për sot, më dërgoni një mesazh tjetër dhe do t’ju thërras përsëri për të përfunduar ditën”, u tha gjyqtari Arun Subramanian anëtarëve të jurisë pas orës 5 pasdite dje.
Nga akuzat me të cilat përballet reperi, ajo me shantazh është më e ndërlikuara, pasi juria duhet të vendosë nëse ai drejtonte një “ndërmarrje shantazhimi” dhe ishte i përfshirë në disa ose të gjitha krimet, të tilla si rrëmbim dhe zjarrvënie.
Në përgjigje, prokurorët dhe ekipi ligjor i Diddy-t i kërkuan jurisë të vazhdonte shqyrtimin e pjesës së mbetur të aktakuzës.
Përpara se të shtyhej seanca për të mërkurën, juria i dërgoi një njoftim tjetër gjykatës, këtë herë duke kërkuar sqarime se çfarë kualifikohet si shpërndarje droge – një akuzë që lidhet me akuzën e shantazhit, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Menjëherë pas kësaj, anëtarët e jurisë i dërguan gjykatës një njoftim duke deklaruar se kishin përfunduar shqyrtimet e tyre për atë ditë dhe se do të vazhdonin shqyrtimet të mërkurën në mëngjes.
Combs, 55 vjeç, u arrestua në shtator dhe përballet me pesë akuza për krime të rënda: një akuzë për shantazh, dy akuza për trafikim për shfrytëzim seksual dhe dy akuza për transportim me qëllim prostitucioni.
Si kujtesë, P Diddy më parë nuk e pranoi fajësinë për asnjë nga akuzat dhe i mohon të gjitha akuzat kundër tij, por nëse dënohet, Combs mund të përballet me burgim të përjetshëm./Periskopi/