Pesë vjet pa rezultate reale: Propaganda nuk zëvendëson qeverisjen

Shkruan: Albert Krasniqi
Në mungesë të rezultateve reale nga qeverisja 5-vjeçare, VV po hyn në zgjedhje duke tentuar t’i përvetësojë si suksese/prezantuar si premtime zgjedhore – vendime dhe procese të nisura shumë më herët nga qeveritë e kaluara, për të cilat pothuajse nuk ka asnjë meritë direkte.
Disa prej tyre janë:
1. Heqja e taksës doganore 10% për veturat nga BE-ja
Kjo nuk është vendim politik i kësaj qeverie, por detyrim i paraparë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila parasheh ulje progresive dhe shfuqizim të tarifave doganore për produktet industriale brenda afateve të caktuara.
2. Heqja e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së që marrin beneficione
Ky kufizim ka qenë i paligjshëm që në fillim. Të gjitha rastet e dërguara në gjykata janë fituar nga veteranët – madje me interes – duke e detyruar shtetin ta korrigjojë gabimin.
3. “Buxheti rekord” për vitin 2026
Çdo vit buxheti quhet “rekord”, sepse çdo vit është më i lartë se ai paraprak (me përjashtim të vitit të pandemisë). Rritja e buxhetit të shtetit ka qenë graduale dhe e vazhdueshme ndër vite, jo rezultat i ndonjë reforme të jashtëzakonshme.
4. Përvetësimi i meritave për liberalizimin e vizave
Të gjitha kriteret për liberalizim janë përmbushur shumë kohë para se VV të vinte në pushtet. “Merita” e vetme politike e VV-së në këtë proces ka qenë vonesa prej rreth 5 vitesh, si pasojë e kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
5. Rritja e investimeve në ushtri
Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura është miratuar me ligj në dhjetor 2018 dhe parasheh rritje të investimeve si pjesë e një plani 10-vjeçar (2018–2028). Pra, investimet aktuale janë zbatim i një plani të trashëguar, jo iniciativë e re.
6. Ulja e papunësisë dhe “salduesit nga Bangladeshi”
Rënia e numrit të të papunëve nuk është rezultat i politikave të qëndrueshme të punësimit, por pasojë direkte e emigrimit masiv të të rinjve, kryesisht për arsye ekonomike. Punëtorët e huaj po vijnë për të mbuluar boshllëqet e krijuara nga ikja, jo sepse Kosova ka krijuar ekonomi konkurruese.
Propaganda nuk zëvendëson qeverisjen.
Pa rezultate reale, tentimi për të rishkruar historinë bëhet strategjia e vetme elektorale.
