Qumështi APTAMIL për foshnja i kontaminuar me bakterin Bacillus Cereus, AUV jep detaje me vonesë

Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë i Komisionit Evropian (Rapid Alert System for Food and Feed – RASFF) ka njoftuar se në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut është shpërndarë një ushqim për foshnja i kontaminuar me bakterin e rrezikshëm Bacillus Cereus.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) përmes një përgjigje me shkrim për Periskopin ka treguar se bëhet fjalë për produktin e qumështit APTAMIL ku është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar një njoftim lidhur me një produkt ushqimor, qumështin APTAMIL, në të cilin është identifikuar prania e bakteries Bacillus cereus”, thuhet në përgjigje.
AUV ka theksuar se janë duke bashkëpunuar me kompaninë importuese për asgjësimin e produktit.
“Dhe është duke u marrë me rastin në fjalë në bashkëpunim me kompaninë importuese për grumbullimin dhe asgjesimin e këtij produkti”, thuhet në përgjigje.
Sipas Ligjit për Ushqimin (Nr. 08/L-120), Agjencia e Ushqimit është e obliguar të informojë menjëherë konsumatorët në rast rreziku. Neni 6 i këtij ligji përcakton qartë se “në rast të rrezikut nga ndonjë ushqim, Agjencia ka për obligim ta njoftojë publikun, institucionet shtetërore dhe palët e interesit”.
Sipas njoftimit zyrtar të RASFF-it, produkti “infant food” është prodhuar në Holandë dhe është shpërndarë në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian (BE), si dhe në rajonin e Ballkanit, përfshirë Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, raporton Periskopi.
Nga analizat laboratorike të kryera në Holandë, është konstatuar prania e bakterit Bacillus Cereus në nivel prej 580 cfu/gr./Periskopi/
