KOSTT arsyeton ndërprerjen e rrymës në disa komuna: Për të shmangur incidente më serioze

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Operatorit të Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të Energjisë Elektrike, Shaban Neziri ka thënë se reduktimet e rrymës që janë zbatuar ditët e fundit në qytete të ndryshme kanë qenë instrument sigurie për të garantuar stabilitetin e sistemit elektro-energjetik në Kosovë.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se sistemi aktualisht po përballet me rritje të konsiderueshme të konsumit, sidomos në orët e pikut gjatë sezonit dimëror, përkatësisht në periudhën 20 dhjetor – 5 janar, në oraret 09:00–11:00, 16:00–19:00 dhe 22:00–23:00, raporton Periskopi.
Ai po ashtu tha se ngarkesa maksimale ka arritur deri në 1,523 MW, krahasuar me 1,472 MW vitin e kaluar, duke treguar një trend të vazhdueshëm të rritjes së kërkesës për energji.
Neziri tutje tha se, pavarësisht investimeve të shumta të realizuara ndër vite për rritjen e kapaciteteve transmetuese, këtë vit mbingarkesat janë shfaqur më të theksuara në disa nënstacione, përfshirë Rahovecin dhe Malishevën, Prizrenin 1, si dhe pjesërisht Gjilanin 1 dhe Lipjanin.
“Për këtë arsye, gjatë javës së fundit kemi zbatuar kufizime të përkohshme dhe të kontrolluara vetëm në disa nënstacione dhe vetëm në orë të caktuara të pikut. Këto masa janë instrument sigurie për të shmangur incidente më serioze që do të kishin pasoja shumë më të gjera”, ka thënë Neziri.
