Raporti 24 orësh, Policia jep detaje për shtatë raste që ndërlidhen me procesin zgjedhor dje

Në raportin 24 orësh, Policia ka dhënë detaje për shtatë raste që ndërlidhen me procesin zgjedhor që u mbajt dje në Kosovë.
Në Drenas është iniciuar një rast “Cenim i fshehtësisë së votimit”.
“CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT- Gllogoc / 28.12.2025 – 14:30. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ka kryer veprën e lartcekur. Me urdhër të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.”
Në Gjilan është arrestuar një person i cili pasi e ka plotësuar fletëvotimin e ka ekspozuar atë.
“PENGIM I PROCESIT TË VOTIMIT & CENIM I FSHEHTËSISË SË VOTIMIT- Gjilan / 28.12.2025 – 11:08. Lidhur me veprat e lartcekura është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se në qendrën e votimit pasi e kishte plotësuar fletën e votimit e kishte ekspozuar atë para se ta vendoste në kutinë e votimit. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.”
Ndërsa në Ranillug, është arrestuar një grua pasi dyshohet se ka ushtruar ndikim te votuesit e subjekteve tjera.
“CENIM I PËRCAKTIMIT TË LIRË TË VOTUESËVE- Ranilluk / 26-27.12.2025 – NN. Është arrestuar e dyshuara femër kosovare për shkak të dyshimit se ka ushtruar ndikim te votuesit e subjekteve tjera. E dyshuara pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.”
Në Shtime është arrestuar një burrë pasi e ka grisur fletëvotimin e një gruaje.
“ASGJËSIM I DOKUMENTIT TË VOTIMIT- Shtime/ 28.12.2025 – 16:25. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar derisa kishte qenë duke votuar në qendrën e votimit kishte grisur fletëvotimin e tij dhe të një femre kosovare. I dyshuari është intervistuar, në konsultim me prokurorin lënda procedohet në procedurë të rregullt.”
Fletëvotimin e ka grisur edhe një burrë tjetër në Prizren.
“ASGJËSIM I DOKUMENTEVE TË VOTIMIT- Prizren/ 28.12.2025 – 11:48. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar në qendrën e votimit ka grisur fletëvotimin. Me vendim të prokurorit, rasti shkon në procedurë të rregullt.”
Ndërsa në Suharekë dikush e ka fotografuar votën dhe e ka postuar në rrjete sociale.
“Suharekë / 28.12.2025 – 12:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar gjatë votimit ka fotografuar votën dhe ka postuar në rrjete sociale. I dyshuari është paraqitur në stacion policor, është intervistuar dhe pastaj është liruar në procedurë të rregullt.”
Në një qendër të votimit në Pejë një fletëvotim e ka pasur vulën ndryshe nga fletëvotimet tjera. Ajo është sekuestruar.
“FALSIFIKIM I REZULTATEVE TË VOTIMIT- Pejë/ 28.12.2025 – 20:00. Është raportuar se në qendrën e votimit një fletëvotim kishte pasur vulën ndryshe nga fletëvotimet tjera të KQZ-së. Lidhur me rastin është informuar prokurori i cili e ka bërë cilësimin e veprës penale, fletëvotimi është sekuestruar. Rasti nën hetime.”
