Ramadan Morina nuk e pranon fajësinë për masakrën në Burim të Malishevës

Ramadan Morina nuk e pranon fajësinë për masakrën në Burim të Malishevës

Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Ramadan Morina u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për krime lufte në Kosovë.

“Nuk e pranoj fajësinë se prej majit ’98 deri më ’99 fare s’kam qenë në Kosovë. E kam dëshminë”, deklaroi Morina.

Deklarimin rreth fajësisë, i akuzuari e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Ilir Morina, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 15 ditësh mund të paraqesin kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhje të aktakuzës.

Prokurori Morina tha se në aktakuzë kanë propozuar vazhdimin e masës së paraburgimit, duke konsideruar se përmbushen kushtet ligjore për vazhdimin e kësasj mase.

“I akuzuari dha adresë të pasaktë, paralufte e ka pas në fshat e nga ajo kohë nuk ka adresë në Kosovë. Adresën e përhershme e ka në Serbi. Atë që e dha në Prishtinë është adresë e përkohshme dhe e një familjari të tij që ky me gjasë e shfrytëzon në pak raste për këto 20 vite ku ka ardhë në Kosovë”, tha prokurori.

Andaj, mbi këtë bazë, prokurori Morina i propozoi Gjykatës që t’i vazhdohet paraburgimi të akuzuarit.

Kurse, mbrojtësi i Morinës, avokati Shpend Gashi i cili zëvendëson avokatin Arianit Koci, tha se mbesin pranë parashtresës dhe kundërshtojnë në tërësi deklarimin e prokurorit.

“Për faktin se i mbrojturi im kur u pyet për adresën e tij, i njëjti mendoi se po pyetet për adresën e tij në Kosovë.. i njëjti planifikon që pensionimin e tij ta kalojë në Kosovë, tha Gashi.

Avokati shtoi se konsiderojnë që prokurori keqinterpretoi përgjigjen e të akuzuarit Morina. Propozoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga masa e paraburgimit dhe t’i caktohet një masë më e butë.

Lidhur me propozimet për masën e sigurisë, Gjykata do të vendos me aktvendim të veçantë jashtë seancës.

Paraprakisht, avokati Shpend Gashi, tha se ka pranuar një kopje të aktakuzës dhe provat.

Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri tha se më 17 dhjetor 2025 është parashtruar dhe një ditë më vonë është pranuar nga gjyqtari një ankesë nga avokati Arianit Koci. Tha se ankesa ishte ndaj aktvendimit për pranimin e pjesërishtëm të kërkesës së mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar.

Sipas Beqirit, duke qenë se kërkesa i është drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, ndërsa disa ditë më herët është ngrit aktakuza, atëherë ai si kryetar i trupit gjykues nuk ka pasur kompetencë të vendos në lidhje me këtë ankesë.

Po ashtu, duke qenë se lënda për vazhdim të paraburgimit është kthyer në rivendosje nga Supremja, atëherë gjykata i ka dhënë mundësi mbrojtësit që të paraqesë mendimin e tij lidhur me propozimin e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës.

Kështu, gjykatësi tha se avokati Arianit Koci më 29 dhjetor ka paraqitur kundërshtimin ndaj propozimit për vazhdimin e masës së paraburgimit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 18 dhjetor 2025, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morina, të cilin e ngarkon për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Morina akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë, shkatërrimin e pronës, dëbimin e popullatës civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1 mijë qytetarëve.

“Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë. R.M., akuzohet edhe për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbim masiv të popullësisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë”, thuhej në njoftim.

I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti