Koalicion LVV-LDK në Mitrovicë, Safet Kamberi kryesues i Kuvendit Komunal

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka arritur marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës për udhëheqjen e kësaj komune.
Si rezultat i këtij koalicioni, pozita e kryesuesit të Kuvendit Komunal i ka takuar LDK-së, ndërsa në këtë funksion është zgjedhur Safet Kamberi.
Kamberi ka marrë mbështetjen e 18 asamblistëve, ndërsa 10 kanë votuar kundër dhe dy vota janë shpallur të pavlefshme.
Zgjedhja e kryesuesit është bërë në një mbledhje urgjente të Kuvendit Komunal, e cila është thirrur mbrëmjen e së mërkurës në orën 21:30. Mbledhja ishte planifikuar fillimisht të mbahej të enjten në orën 10:00, por është avancuar për shkak të afatit ligjor.
11 dhjetori ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal.
Sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, kryesuesi i Kuvendit duhet të zgjidhet brenda 30 ditëve nga betimi i kryetarit të komunës.
Kryesuesi i sapozgjedhur, Safet Kamberi, ka bërë të ditur se pavarësisht mbledhjes urgjente, Kuvendi Komunal do të mbajë edhe një seancë të rregullt, e cila do të zhvillohet nesër në orën 10:00.
Ndryshe, Faton Peci është betuar zyrtarisht si kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut më 12 dhjetor 2025./Periskopi
