Norvegjia e tronditur pasi Machado i dhuroi Trumpit medaljen e Çmimit Nobel

Norvegjia e tronditur pasi Machado i dhuroi Trumpit medaljen e Çmimit Nobel

Lajmi se fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Corina Machado, ia ka dorëzuar medaljen e saj presidentit amerikan Donald Trump ka shkaktuar mosbesim dhe reagime të forta në mediat norvegjeze, si dhe në qarqet profesionale.

Trump, i cili prej kohësh ka shprehur dëshirën për ta marrë këtë vlerësim, e pranoi medaljen nga udhëheqësja e opozitës venezuelase gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë.

Machado ia dorëzoi medaljen Trumpit duke e cilësuar atë si “një vlerësim për përkushtimin e tij unik ndaj lirisë sonë”. Ajo është përjashtuar nga procesi i tranzicionit të pushtetit në Venezuelë që prej 3 janarit, kur forcat amerikane rrëzuan Nicolas Maduron, megjithëse regjimi i tij mbeti në pushtet.

Presidenti amerikan, i cili pretendon se e meriton Çmimin Nobel për Paqen pasi, sipas tij, gjatë mandatit të dytë ka kontribuar në zgjidhjen e disa konflikteve, më herët kishte shprehur pakënaqësi ndaj vendimeve të Komitetit Norvegjez të Nobelit, raportojnë mediat.


“Kjo është krejtësisht e papranueshme”, deklaroi për televizionin publik NRK Janne Haaland Matlary, profesoreshë në Universitetin e Oslos dhe ish-politikane. “Ky veprim përbën mungesë të plotë respekti ndaj çmimit”, tha ajo, duke e cilësuar atë si “të pakuptimtë” dhe “patetik”, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Ndërkohë, Komiteti Norvegjez i Nobelit theksoi javën e kaluar, përmes një deklarate zyrtare, se Çmimi Nobel nuk mund të ndahet dhe as të transferohet.Çmimi Nobel për Paqen konsiderohet një nga vlerësimet më prestigjioze në botë për përpjekjet në fushën e diplomacisë dhe paqes.

“Kjo është jashtëzakonisht e turpshme dhe e dëmshme për një nga çmimet më të njohura dhe më të rëndësishme në botë”, shkroi në një postim në Facebook, Raymond Johansen, ish-kryetar i bashkisë së Oslos nga Partia Laburiste në pushtet.

“Dhënia e çmimit është tani aq e politizuar dhe potencialisht e rrezikshme, saqë mund të legjitimojë lehtësisht zhvillime që bien ndesh me vetë idenë e paqes”, shkroi ai.

Ai është një nga pesë Çmimet Nobel të themeluara me testamentin e Alfred Nobelit, shpikësit suedez të dinamitit, i cili vdiq në vitin 1896./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti