“Njerëzit kanë qeshur me mua”, Granit Xhaka zbulon pse zgjodhi Sunderlandin

“Njerëzit kanë qeshur me mua”, Granit Xhaka zbulon pse zgjodhi Sunderlandin

Granit Xhaka vazhdon të vlerësohet si një prej transferimeve më të mira të këtij edicioni në Ligën Premier. Në Angli, shumë njohës të futbollit e shohin edhe si transferimin më të mirë, duke marrë parasysh ndikimin e madh që po ka te Sunderlandi.

Sunderlandi po udhëhiqet në fushë nga Xhaka, i cili është edhe kapiteni i skuadrës. Ekipi është i vetmi në Ligën Premier pa humbje në shtëpi dhe po synon të sigurojë një vend në Evropë. Kthimi i Sunderlandit në elitë erdhi pas një kohe të gjatë, ndërsa me Xhakën si lider i mesfushës, skuadra po tregon nivel të lartë.

Megjithatë, për momentin Xhaka është i lënduar dhe do të mungojë në ndeshjen ndaj Arsenalit, që zhvillohet të shtunën nga ora 16:00, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Xhaka ka luajtur më parë me sukses të madh te Arsenal, përpara se të kalonte dy sezone te Bayer Leverkusen. Pas kësaj, ai vendosi të kthehej sërish në Angli, këtë herë te Sunderlandi.

Por vendimi i tij nuk u kuptua nga të gjithë. Madje, pati edhe njerëz që qeshën me zgjedhjen e tij, çka Xhaka e ka pranuar në një intervistë për BBC.

“Njerëzit kanë qeshur me mua, të jem i sinqertë. Edhe një pjesë e shokëve më të mirë më kanë thënë ‘pse po kthehesh?’”.

“Më kanë thënë ‘në rregull që po kthehesh, por pse në Sunderland?’. Sepse i dua sfidat. Kam pasur ndjenjë se më duhet një sfidë e re pas dy vjetësh në Gjermani”.

“Në vitin e parë i fituam thuajse të gjitha atje. E fituam Bundesligën pa humbje, e fituam Kupën e Gjermanisë. E humbëm finalen në Ligën e Evropës dhe kjo ishte shumë e dhimbshme”, ka thënë Xhaka.Derisa ishte i shëndoshë, Xhaka ishte i pazëvendësueshëm në formacionin startues të Sunderlandit, por ai ka munguar në dy ndeshjet e kaluara për shkak të lëndimit. Në këtë sezon, ai ka regjistruar një gol dhe pesë asistime në 22 paraqitje në Ligën Premier.

Xhaka ka treguar se Sunderlandi ishte zgjedhja e duhur për të dhe familjen e tij.

“E kam pasur ndjenjën se është klubi i duhur për mua. Këtë ndjenjë e kam pasur kur kam folur me pronarin e Sunderlandit, kur kam folur me klubin, trajnerin. Njerëzit janë shumë modest këtu”.

“Është qytet i vogël dhe e kam parë saktësisht veten se si jam rritur. Dhe kam dashur të kthehem në realitet. Kam besuar se është drejtimi i duhur për mua dhe për familjen time”.

“Jam shumë i lumtur që çdo gjë ka shkuar shumë mirë, ashtu si kam shpresuar”, përfundoi 33-vjeçari./Periskopi

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti