Prindërit në Shqipëri rikthejnë emrat shqiptarë për fëmijët, këta kryesojnë

Prindërit e rinj gjithnjë e më shumë po zgjedhin emra shqiptarë për fëmijët e tyre, duke u rikthyer tek rrënjët, teksa për dekada me radhë ishin emrat e huaj ata që mbizotëronin. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Edua tek vajzat dhe Kren tek djemtë janë dy emrat shqiptarë më të përhapur.
Janë një sërë emrash të tjerë, kryesisht me kuptime të ndryshme në gjuhën shqipe, që po gjejnë përdorim të gjerë.
“Sidomos emra nga gegnishtja sepse tingëllojnë më bukur. Ndërsa emrat më modernë, por që janë shqiptarë: Edua, Ajër. Më parë e vendosnin Ajra sipas italishtes, tani preferojnë Ajër, emër shqiptar. Bora që simbolizon bardhësinë. Për meshkujt, më shumë janë emrat e lumenjve. Vazhdojnë të vendosin Drin, është shumë i përhapur. Ndërsa pjesa e veriut vendos emra si Flamur, Dren, Kroi. Trendi është edhe bashkimi i dy emrave: Sihana, Sidrita, Siar. Bashkojnë emrin me një lidhëse”, thotë Dolores Rrapollari, Specialiste pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, raporton TvKlan, transmeton Periskopi.
Sociologët e cilësojnë këtë fenomen të ri si rikthim tek identiteti, pas dëshirës për emra të huaj, shpesh pa ia ditur kuptimin, që ka mbizotëruar që pas viteve ’90.
“Ka ardhur koha të vinte dhe si duket ka filluar. Brezi i ri, ndoshta i tejngopur pak vetë nga këto emrat e huaj, po kërkon vetveten. Nëse prindërit e këtyre prindërve të rinj u kanë vendosur emra të huaj, kjo vinte pas një izolimi dhe mbylljeje, nga dëshira për integrim dhe përshtatje. Dëshira për modernitet ka qenë dëshira për Perëndimin. Një rol kanë luajtur edhe filmat në periudha të ndryshme”, thotë sociologia Entela Binjaku.
Pavarësisht ndryshimit të preferencave, në zyrat e gjendjes civile ekziston ende një listë me emrat e ndaluar.
“Varreze, Govate, Groshë, Mbarime… sepse kur lindnin shumë vajza, të mbaronin”, thotë specialistja Rrapollari.
Me ndryshimin e legjislacionit në Shqipëri është i ndaluar ndërrimi i emrit./Periskopi/
