Dënojeni me vdekje lirinë

Një J’accuse për gjuhën e Prokurorisë që sot tentoi të gjykojë luftën, kujtesën dhe vetë kuptimin e çlirimit, para se Gjykata të ketë folur
Baton Haxhiu
Ka momente kur njeriu nuk shkruan për të bindur të tjerët. Shkruan për të mos tradhtuar atë që ka parë me sytë e vet. Luftën e UÇK-së.
E dëgjova fjalën përfundimtare të Prokurorisë në Hagë dhe për disa minuta nuk po dëgjoja më një aktakuzë. Po dëgjoja një rrëfim për një luftë që unë e kam parë me sy, por që nuk e njoha më nga mënyra si po përshkruhej. Në atë sallë nuk po flitej vetëm për katër njerëz. Po flitej për një histori të tërë me një gjuhë që tingëllonte e huaj, e ftohtë dhe e rrezikshme njëkohësisht. Dhe kur u kërkuan 45 vite burg për secilin, e kuptova se ajo që po ndodhte nuk ishte më një monolog juridik. Ishte një përplasje me kujtesën. Një përpjekje për ta rrëfyer lirinë me fjalor që nuk i përket asaj.
Sot nuk po flas si gazetar. As si Baton. Po flas si njeri që e ka parë atë luftë me sy. Që i ka parë ata njerëz me baltë në këpucë, me gjumë të prerë, me fytyra që nuk i përkisnin më jetës së zakonshme, por një kohe që nuk kishte as emër as garanci. Dhe kur dëgjova Prokurorinë në Hagë të kërkonte 45 vite burg për secilin, nuk ndjeva zemërim. Ndjeva një boshllëk të ftohtë. Si kur e kupton se diçka po mbyllet në mënyrën më të gabuar të mundshme.
Nuk janë vitet që më tronditën. Është gjuha. Është narrativa. Është mënyra si u fol për luftën, për njerëzit, për atë që ndodhi. Nuk dukej si aktakuzë ndaj individëve. Dukej si një përshkrim i një historie që unë e kam jetuar, por që nuk e njihja më nga mënyra si po rrëfehej.
Në atë sallë, për disa minuta, u duk sikur liria ishte në bankën e të akuzuarve.
Dhe aty e kuptova diçka që e kisha shkruar që në vitin 2018, por që sot e ndjeva deri në eshtra. Rreziku nuk ishte juridik. Rreziku ishte moral. Psikologjik. Historik. Rreziku ishte që një gjuhë prokurorie të bëhej gjuhë historie.
Prandaj sot nuk kam një reagim. Kam një thirrje.
J’accuse.
E para, ndaj Prokurorisë. Jo ndaj Gjykatës. Sepse Gjykata ende nuk ka folur. Por gjuha e Prokurorisë sot ishte një akt në vetvete. Një akt që e tejkaloi dosjen, që e tejkaloi individin, që preku luftën, preku kujtesën, preku atë që për ne quhet çlirim. Një gjuhë që nuk pati asnjë kujdes për peshën historike të asaj që po përshkruante. Një gjuhë që, në vend se të ishte sterile, juridike, e ftohtë, u bë rrëfim.
E dyta, ndaj atyre që dëshmuan rrejshëm. Dhe ndaj atyre shqiptarëve që, nga urrejtja ndaj elitave, nga frustrimi, nga dëshira për t’i parë politikanët në bankën e të akuzuarve, e kërkuan këtë gjykim pa e kuptuar se çfarë po vendosnin në tavolinë. Nuk po vendosnin vetëm emra. Po vendosnin historinë e tyre. Po vendosnin luftën e tyre. Po vendosnin vetë kuptimin e lirisë.
E treta, ndaj Serbisë. Sepse sot në Hagë nuk dëgjova vetëm një prokurori. Dëgjova një gjuhë që përputhej në mënyrë të frikshme me narracionin që Beogradi ka 25 vite që e përsërit. Një gjuhë ku UÇK-ja nuk është më lëvizje çlirimtare, por strukturë kriminale. Një gjuhë ku lufta nuk është më reagim ndaj shtypjes, por burim krimi. Një gjuhë ku historia përmbyset me kujdes juridik.
Dhe kjo përputhje nuk është rastësi. Është alarm.
Unë i kam njohur ata. I kam parë në luftë. I kam parë nga afër, në momente që nuk i harron dot. I kam parë jo si politikanë, por si njerëz të futur në një vorbull që nuk e kishin zgjedhur, por që nuk kishin si ta shmangnin. Dhe sot, kur dëgjova atë propozim, nuk pashë më fytyrat e tyre. Pashë fytyrat e atyre djemve pa emër, të atyre grave që bartnin ujë, të atyre familjeve që hapnin dyert për të panjohur. Pashë gjithë atë kohë që sot u përmend me një ton që më dukej i huaj.
Prandaj po e them me cinizëm të dhimbshëm.
Pse nuk e dënoni me vdekje lirinë.
Sepse 45 vite për secilin nuk është thjesht kërkesë dënimi. Është një fjali që tingëllon si dënim simbolik i asaj që për ne ishte liri. Dhe nëse kjo është gjuha me të cilën do të rrëfehet ajo kohë, atëherë më mirë ta thoni troç. Se në bankën e të akuzuarve nuk janë vetëm katër njerëz. Është një histori. Një kujtesë. Një e vërtetë e përjetuar.
Gjykata ende nuk ka folur. Dhe pikërisht për këtë kam ende shpresë. Sepse vetëm një gjykatë e drejtë mund ta pastrojë turpin e gjuhës së sotme. Vetëm një vendim i drejtë mund ta ndalë këtë rrëshqitje ku prokuroria fillon të shkruajë histori.
Sot nuk jam i zemëruar. Jam i tronditur. Dhe kjo është më e rëndë.
