Adriana Matoshi ironizon duke publikuar fotografi para hyrjes së Kuvendit: Te puna e babit

Aktorja dhe deputetja e njohur shqiptare, Adriana Matoshi, ka rikonfirmuar mandatin e saj parlamentar të mërkurën gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke vazhduar kështu rrugëtimin e saj politik për të tretin mandat radhazi.
E njohur për stilin e saj të drejtpërdrejtë dhe shpeshherë ironik në komunikim publik, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje e shënoi këtë moment edhe me një publikim në rrjetet sociale.
Ajo ndau një fotografi në InstaStory, ku shfaqet duke pozuar para objektit të parlamentit, ndërsa mbishkrimi që zgjodhi të përdorë tërhoqi menjëherë vëmendje.

“Te puna e babit”, shkroi aktorja nga Gjilani, duke bërë një referencë satirike ndaj mënyrës se si disa përkrahës i drejtohen liderit të partisë së saj dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me nofkën “Albin Baba”, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.
Aktorja e cila tash e tri mandate është deputete e Kosovës njihet për sarkazmën e saj, pasi në të kaluarën vjen edhe nga dy role të famshme në serialet komike “Kafeneja Jonë” dhe “O Sa Mirë”.
Seanca e së mërkurës shënoi edhe zhvillime të rëndësishme politike, pasi me 66 vota pro u votua Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, i cili nisi mandatin e tij të tretë si kryeministër./Periskopi
