Policia ende nuk ka dorëzuar rastin në prokurori në lidhje me grushtimin e biznesmenit Valon Ademi ndaj Sokol Havollit

Policia e Kosovës ende nuk ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori të Shtetit në lidhje me sulmin fizik të biznesmenit Valon Ademi ndaj ish-drejtorit të Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli.
Këtë e ka konfirmuar Prokuroria Themelore e Prishtinës, në një deklaratë të shkurtër për gazetën online Reporteri.net, tek pas disa insistimeve të mediumit për të marrë konfirmim nga Prokuroria e Shtetit për rastin.
“Ju njoftojmë se sa i përket rastit në fjalë deri më tani Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka pranuar ende kallëzimin penal nga Policia e Kosovës”, thuhët në përgjigjen e Prokurorisë për Reporteri.net.Rasti në fjalë kishte ndodhur para dy javësh, në një lokal në qendër të Prishtinës.
Për dallim prej Prokurorisë, nga Policia e Kosovës, pak ditë pas grushtit të pronarit të “2A Group SHPK” – një kompani e njohur në fushën e prokurimit publik dhe tenderëve të shtetit – ndaj ish-drejtorit komunal të Prishtinës, kishin deklaruar se kishin hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”, dhe se veprimet pasuese po ndërmerreshin në koordinim me prokurorin e shtetit.
“Rasti është raportuar në polici dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Të gjitha veprimet e radhës do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, kishte dekluar Policia e Kosovës për Reporteri.net, më 3 shkurt 2026.
Veç Policisë e Prokurorisë, për sulmin fizik ka reaguar edhe vetë Havolli, i cili në një prononcim të shkruar për Reporteri.net ka thënë se “njëherë” s’ka çka “me deklaru asgjë për këtë çështje në media“.
Incidenti mes Ademit dhe Havollit kishte ndodhur pas një përplasje verbale mes dyshes të cilët po qëndronin në të njëjtin lokal në Prishtinë, teksa sulmi me grusht i biznesmenit ndaj ish-drejtorit komunal u krye kur ky i fundit ishte nisur për t’u larguar nga lokali. Lajmi për rrahjen, fillimisht u raportua nga mediat në Tiranë, të shtunën, një ditë pas rastit./Periskopi
