Shifrat e konfirmojnë: Distria, më e mira e huaj në histori të garës së Parisit

Shifrat e konfirmojnë: Distria, më e mira e huaj në histori të garës së Parisit

Ishte 6 shkurti i vitit 1971 kur për herë të parë është mbajtur gara e xhudos në Paris, që tashmë është më e famshmja e këtij sporti, pa llogaritur Botërorin dhe Olimpiadën.

“Tournoi international de la ville de Paris” është quajtur kjo garë në fillim. Dhe deri në vitin 1987 kanë garuar vetëm xhudistë. Xhudistet për herë të parë garuan në Paris në vitin 1988.

Dhe tashmë xhudistja kosovare, Distria Krasniqi, është prej më të mirave në historinë e lavdishme të kësaj gare.

Distria i ka plot katër medalje të arta, dy të argjendta e tri të bronzta në Grand Slamin e Parisit. Pra nëntë gjithsej. Të artën e fundit e fitoi para një jave.

Asnjë xhudist apo xhudiste e huaj, përkatësisht jofrancez, nuk ka kaq shumë medalje në Paris, prej se turneu evidentohet si Grand Slam, përkatësisht nga viti 2009.

E dyta në ranglistën e xhudistëve më të suksesshëm të huaj në Grand Slamin e Parisit është Majlinda Kelmendi. Majlinda i ka katër të arta e një të argjendtë. Nga katër të arta, prej xhudistëve të huaj kanë vetëm edhe japonezja Megumi Tachimoto dhe japonezi Naohisa Takato. Tachimoto e ka edhe një të bronztë, ndërsa Takato nuk ka të tjera. Rrjedhimisht janë pas Distrisë e Majlindës.

Sa i takon Grand Slamit të Parisit, Distria nuk rivalizohet nga asnjë xhudist i huaj. Varlam Liparteliani i Gjeorgjisë, tashmë i pensionuar, ka tetë medalje gjithsej. Por vetëm tri prej tyre të arta.

Marrë për bazë që renditjet bëhen në bazë të medaljeve të arta të fituara, Distria është e para prej xhudistëve të huaj edhe në gjithë historinë shumë të lavdishme të garës së Parisit.

Sa i takon totalit të medaljeve, spanjollja Isabel Fernandez është e para me 11 medalje. Por prej tyre i ka vetëm tri të arta, që e lë prapa Distrisë. Isabel Fernandez i ka fituar medaljet para se gara në Paris të evidentohej si “Grand Slam”.

Nga edicioni i parë i garës së Parisit e deri më sot nga nëntë medalje prej xhudistëve të huaj i kanë vetëm edhe Ulla Werbrouck e Belgjikës, Legna Verdecia e Kubës dhe Amarilis Savon e Kubës.

Por dy kubanet dhe belgia, njëjtë si spanjollja Fernandez, kanë më pak të arta se Distria. Dhe kjo e bën të pakrahasueshme Distrinë, që ndër të tjera aktualisht është e para në ranglistën botërore, prej të gjithë xhudistëve dhe xhudisteve. Ajo po ashtu i ka dy medalje olimpike, një të artë e një të argjendtë.

Me francezët ranglistat e Parisit ndryshojnë.

Por, trashëgimia e Distrisë për Kosovën, e edhe për xhudon botërore, është e madhe. Dhe vazhdon të rritet./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti