Klauzola e kontratës që mund ta rikthejë Mourinhon te Real Madridi

Trajneri portugez Jose Mourinho nuk e përjashton mundësinë e rikthimit te Real Madridi.
Në kontratën aktuale që e lidh me Benfica ekziston një klauzolë që mund ta lehtësojë transferimin e tij në ‘Santiago Bernabeu’ sapo të përfundojë sezoni aktual.
Neser (e martë), nga ora 21:00, Benfica dhe Real Madridi do të përballen në stadiumin ‘Estadio da Luz’ në ndeshjen e parë të play-off-it të Ligës së Kampionëve, duke hapur kështu garën për të arritur në 1/8-at e finales së kompeticionit më të lartë kontinental.
Kjo përballje ka rilindur spekulimet që e lidhin Mourinhon me klubin e Chamartin.
Sipas gazetës As, edhe pse kontrata e tij me Benfica zgjat deri në qershor të 2027, dokumenti përmban një mekanizëm që mund ta lehtësojë largimin e tij verën e ardhshme, nëse brenda dhjetë ditëve pas ndeshjes së fundit të sezonit të ‘Aguilas’, ndonjë klub e bind Mourinhon, ai mund të ndërpresë kontratën pa detyrim për kompensim financiar.
Në parim, Mourinho dëshiron të qëndrojë te Benfica, por është i qartë se një telefonatë nga ekipi i Chamartin mund të ndryshojë gjithçka.
Natyrisht, kjo telefonatë e mundshme varet nga rezultatet që do të arkëtojë skuadra e Real Madridit deri në fund të sezonit.
Nëse ekipi përfundon sezonin me ndonjë titull ose të paktën me ndjesinë e një gare të luftuar deri në fund, është shumë e mundshme që Alvaro Arbeloa të vazhdojë në detyrë.
Përndryshe, klubi mund të vendosë të shfrytëzojë klauzolën e trajnerit nga Setubal, raporton Telegrafi, përcjell Periskopi.
