Tetë skiatorë u gjetën të vdekur pas ortekut në Kaliforni – një ende i zhdukur

Tetë skiatorë janë gjetur të vdekur dhe një tjetër mbetet i zhdukur pas një orteku që goditi malet veriore të Kalifornisë, kanë bërë të ditur autoritetet.
Ortekët goditën zonën Castle Peak të Truckee, rreth 16 km në veri të Liqenit Tahoe, rreth orës 11:30 të mëngjesit të martën, sipas orës lokale.
Fillimisht, autoritetet po kërkonin nëntë persona të zhdukur, por të mërkurën në mëngjes konfirmuan se tetë prej tyre kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ende nuk është gjetur.
“Tetë nga nëntë skiatorët e tjerë janë gjetur të vdekur”, tha sherifja e Qarkut të Nevadas, Shannan Moon, sipas mediave ndërkombëtare.
Znj. Moon theksoi se kushtet e vështira dhe rreziku i ortekëve të mëtejshëm kishin penguar përpjekjet e shpëtimit, ndërsa operacioni ishte ende në vazhdim.
Grupi i skiatorëve përbëhej nga 15 persona, të cilët po ktheheshin nga një ekskursion tre-ditor jashtë kufijve të resortit të skive, sipas kompanisë organizuese të tureve, Blackbird Mountain Guides.
Skiatorët e shpëtuar, përfshirë një guidë dhe pesë klientë, u strehuan në një strehë të improvizuar.
“Dy prej tyre nuk ishin në gjendje të ecnin për shkak të lëndimeve të tyre dhe u dërguan në spital”, shtoi znj. Moon./Periskopi/
