“Më telefonoi dhe tha se e dua klubin”, presidenti i Sivassporit tregon si e ktheu Rey Manajn

Presidenti i Sivassporit, Burak Ozçoban, ka zbuluar detaje interesante rreth rikthimit të sulmuesit shqiptar Rey Manaj në klubin turk, duke theksuar se dëshira e lojtarit për t’u kthyer ishte vendimtare në finalizimin e marrëveshjes.
Sipas Ozçoban, gjithçka nisi pas një ndeshjeje ndaj Manisës, kur Manaj e telefonoi personalisht, shkruan Indeksonline, transmeton Periskopi.
“Rey më telefonoi pas ndeshjes së Manisës dhe më tha: ‘E dua shumë Sivasin, është familja ime, dua të vij këtu.’ I thashë se nuk mund ta paguanim atë shumë parash. Pastaj vazhduam të flisnim për një muaj e gjysmë.”
Presidenti turk shtoi se projekti sportiv ishte elementi kyç që bindi sulmuesin kuqezi.
“Rey tha: ‘Ky është një projekt për mua. Dua të tërhiqem nga futbolli te Sivasspor dhe në të ardhmen të bëhem trajner këtu.’ Ne i mbajtëm të gjitha premtimet që i bëmë, dhe ai i mbajti të gjitha premtimet që na bëri.”
Rikthimi i Manajt ka dhënë menjëherë efekt në fushë. Sulmuesi shqiptar ka realizuar tri gola në katër ndeshjet e para pas rikthimit, duke u kthyer në një nga pikat më të forta të skuadrës./Periskopi
