Krimet e përdhunimit gjatë luftës në Kosovë prezantohen në Parlamentin Evropian në Bruksel

Libri “Hallka më e Fortë” u promovua në kuadër të takimit të Delegacionit për marrëdhënie me Kosovën, me thirrje për drejtësi për të mbijetuarat
Në ambientet e European Parliament në Bruksel u prezantua libri “Hallka më e Fortë: Një histori gojore e të mbijetuarave të përdhunimit gjatë luftës në Kosovë”, i autoreve Anna Di Lellio dhe Garentina Kraja. Aktiviteti u organizua nga Embassy of the Republic of Kosovo in Brussels, në bashkëpunim me Delegacionin e Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Kosovën, raproton albinfo, transmeton Periskopi.
Prezantimi u zhvillua në kuadër të takimit të rregullt të delegacionit, i cili nisi me një këmbim mendimesh mes eurodeputetëve dhe ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami. Në pjesën e parë të sesionit, nën kryesimin e eurodeputetit kroat Davor Ivo Stier, ambasadori Bajrami informoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, përfshirë organizimin e zgjedhjeve, procesin e formimit të institucioneve, miratimin e marrëveshjeve me European Union, buxhetin dhe progresin në integrimin evropian.
Ai theksoi orientimin strategjik të Kosovës drejt vlerave euroatlantike dhe kërkoi vazhdimin e mbështetjes së institucioneve evropiane për aspiratat e vendit drejt anëtarësimit në BE.
Në pjesën e dytë të takimit, kushtuar promovimit të librit, morën pjesë autorja Anna Di Lellio dhe znj. Kadire Tahiraj, kontribuuese në hulumtimin e rrëfimeve dhe drejtoreshë e Qendrës për Promovimin e të Drejtave të Grave në Drenas. Ato folën për historitë gojore të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, duke nxjerrë në pah krimet e rënda të kryera nga forcat serbe ndaj popullatës civile shqiptare, veçanërisht ndaj grave.
Gjatë diskutimeve u theksua se drejtësia ende mungon për mijëra gra të dhunuara gjatë luftës, ndërsa u nënvizua se askush nuk është dënuar për këto krime të rënda. Autorja Di Lellio theksoi se ndjekja e drejtësisë mbetet thelbësore, sidomos në një kohë kur përdorimi i dhunës seksuale si armë lufte vazhdon të përsëritet edhe në konflikte të tjera, përfshirë luftën në Ukrainë.
Aktiviteti në Parlamentin Evropian u vlerësua si një hap i rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e kujtesës dhe në rritjen e ndërgjegjësimit për nevojën e drejtësisë dhe përgjegjësisë për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë./Periskopi/
