Ronaldo e rrezikon Botërorin pas lëndimit shqetësues

Cristiano Ronaldo ka ngritur shqetësime serioze rreth mundësisë për të luajtur në Botërorin 2026, turne që mund të ishte i gjashti në karrierën e tij – një rekord absolut.
Legjenda 41-vjeçare duket se e ka pësuar një dëmtim muskulor gjatë fitores 3-1 të Al-Nassr ndaj Al-Feyha në Saudi Pro League, shkruan tabloidi britanik “The Sun”.
Për ta bërë situatën edhe më zhgënjyese, “CR7” e humbi një penallti në pjesën e parë, në momentin kur rezultati ishte 0-0 – diçka e rrallë për ikonën portugeze.
Pak pas golit të epërsisë së skuadrës së tij, Ronaldo i bëri shenjë stolit dhe u largua nga fusha në minutën e 80-të, duke e shfaqur qartë shqetësim fizik.
Më vonë ai u pa në bankinë me një qese akulli në pjesën e pasme të gjurit.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që veterani zëvendësohet para kohe, pasi edhe në mesjavë ishte detyruar të largohej para minutës së 60-të në ndeshjen kundër Al-Najma.
Trajneri i Al-Nassr, Jorge Jesus, konfirmoi se Ronaldo do t’ju nënshtrohet testeve urgjente.
“Ronaldo ka pësuar lodhje muskulore dhe stafi mjekësor do t’i kryejë menjëherë testet e nevojshme për ta përcaktuar gjendjen e tij”, deklaroi trajneri portugez.
Me Kupën e Botës vetëm tre muaj larg, çdo problem serioz mund ta lërë sulmuesin portugez jashtë turneut më të madh të futbollit.
Ky pritet të jetë Botërori i fundit në karrierën e tij, me Portugalinë që është shortuar në një grup të favorshëm përballë Kolumbisë, Uzbekistanit dhe njërit mes RD Kongos, Xhamajkës ose Kaledonisë së Re.
Ronaldo mbetet gjithashtu në garë për ta arritur shifrën historike prej 1,000 golash në karrierë si profesionist – aktualisht ndodhet vetëm 35 gola larg këtij objektivi.
Në kampionat, Al-Nassr e kryeson renditjen e Saudi Pro League, me dy pikë më shumë se Al-Ahli dhe tri pikë përpara Al-Hilal.
Ronaldo i ka realizuar 21 gola këtë sezon në kampionat, duke u renditur pas Julian Quinones (22 gola) dhe Ivan Toney (23 gola) në garën për “Këpucën e Artë” atje.
