Prokuroria kërkon 10 vjet burg për sulmuesin e La Ligas

Futbollisti spanjoll Rafa Mir, i cili aktualisht është i huazuar te Elche nga Sevilla, vazhdon të jetë nën hetim pas një akuze për sulm seksual që u bë ndaj tij në shtator të vitit 2024.
Mir u arrestua nga policia në atë kohë dhe, megjithëse u lirua me kusht, çështja mbetet ende në shqyrtim nga Prokuroria.
Në momentin kur dolën akuzat, ai ishte i huazuar te Valencia dhe për pasojë u përjashtua nga skuadra e parë për tre muaj. Gjatë atij sezoni ai regjistroi 22 paraqitje për klubin.
Në sezonin aktual, sulmuesi 26-vjeçar ka qenë pjesë e Elche, ku ka realizuar shtatë gola në 23 paraqitje. Ndërkohë, hetimet për çështjen kanë vazhduar në prapaskenë dhe së fundmi janë raportuar zhvillime të reja.
Sipas raportimeve të Las Provincias, të cituara nga Cadena SER, Prokuroria ka kërkuar që Mir të dënohet me gjithsej 10.5 vite burg, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi
Nga ky dënim i propozuar, nëntë vite lidhen me akuzën për sulm seksual të rënduar me penetrim, ndërsa 18 muaj të tjerë për lëndimet që pretendohet se i janë shkaktuar viktimës së supozuar.
Përveç kërkesës për dënim me burg, Prokuroria ka propozuar edhe masa të tjera shtesë.
Sipas tyre, Mir nuk duhet t’i afrohet viktimës së pretenduar në një distancë prej 500 metrash për një periudhë prej 13 vitesh.
Gjithashtu është kërkuar që ai të jetë nën mbikëqyrje për shtatë vite pas vuajtjes së dënimit dhe të ketë ndalim të veçantë për tetë vite për të ushtruar çdo aktivitet që lidhet me të mitur./Periskopi
