Realizoi dy gola ndaj Prishtinës, Laurent Xhylani shpallet “Ylli i Javës” në Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e njëzet e tretë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Malisheva, Laurent Xhylani, i cili shënoi dy gola në ndeshjen kundër FC Prishtina, e cila përfundoi me rezultat 3:0, shkruan FFK, .
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.Pasi mori këtë çmim, Xhylani u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës:
“Ka qenë një ndeshje e vështirë, të cilën e kemi përgatitur shumë mirë, duke i analizuar të gjitha pikat e forta dhe të dobëta të FC Prishtinës dhe në fund arritëm një fitore të rëndësishme. Në ekip kemi një atmosferë shumë të mirë, sidomos me ardhjen e stafit të trajnerëve. Vazhdojmë të kemi të njëjtin synim: daljen në Evropë apo titullin kampion. Jam shumë i gëzuar për këtë çmim, i falënderoj bashkëlojtarët e mi dhe këtë çmim ia dedikoj nënës time”, tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
