Haziri për Osmanin: Nëse do të kandidohej, LDK-ja do ta diskutonte mbështetjen

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo parti do ta shqyrtonte mundësinë e mbështetjes së Vjosa Osmanit për Presidente, në rast se emri i saj propozohet nga partia e parë.
Sipas Hazirit, në një skenar të tillë, partia do të analizonte nëse është më e arsyeshme të shkohet në zgjedhje apo të jepet mbështetje për kandidaturën e Osmanit, duke kujtuar edhe qëndrimin e mëhershëm të LDK-së në një situatë të ngjashme.
Haziri në Klan Kosova vuri në dukje gjithashtu se organizimi i zgjedhjeve në Kosovë është një proces i kushtueshëm.
“Unë mund ta konfirmoi atë që e ka thënë Lumir Abdixhiku, nëse vjen emri i saj, ne e diskutojmë për ta mbështetur, sikur herën e kaluar, nuk ka qenë diskutimi mos me mbështet. Nëse do ta kandidonte partia e parë, ne do ta vlerësonim a duhet të shkojmë në zgjedhje, apo duhet ta mbështesim Vjosa Osmani dhe këtu LDK-ja do të reagonte me racionalitet, besoj sikur edhe herën e parë. Ne nuk e kemi pasur asnjë arsye ta marrim barrën e përgjegjësisë, në Kosovë po kushton ndarja e pozicioneve Kushtetuese shumë shtrenjt. Zgjedhjet janë shumë të shtrenjta në Kosovë”, u shpreh ai.
