Florent Muslija për FIFA-n: Kosova do të japë gjithçka për të arritur në Kupën e Botës

Florent Muslija dhe bashkëlojtarët e tij janë të vendosur të afrohen edhe më shumë drejt një kualifikimi historik në Kupën e Botës 2026, teksa përgatiten të përballen me Sllovakinë në “play-off”-in evropian, shkruan FIFA.com.
Muslija, i cili është i huazuar te Fortuna Düsseldorf nga SC Freiburg, ishte titullar në çdo ndeshje të Kosovës gjatë fazës së grupeve në kualifikimet evropiame, ku Kosova përfundoi e dyta në Grupin B pas Zvicrës, duke lënë pas Suedinë dhe Slloveninë.
Mesfushori 27-vjeçar dhe bashkëlojtarët e tij tani përballen me Sllovakinë më 26 mars, ndërsa synojnë të vazhdojnë rrugën drejt turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanadë dhe Meksikë. Nëse kalojnë këtë pengesë, kundërshtari i fundit do të jetë ose Turqia pse Rumania.
Muslija ka lindur në Gjermani dhe në vitin 2018 bëri pesë paraqitje për Gjermaninë U20, përpara se në vitin 2019 të vendoste të përfaqësonte Kosovën, duke debutuar po atë vit me ekipin e parë. Mesfushori ofensiv, që zakonisht luan në qendër të mesfushës ose në krahun e majtë, ka tani 38 paraqitje dhe dy gola me Kosovën. Ai foli për FIFA në fillim të këtij muaji.
FIFA.com: Sa e rëndësishme është të jesh në formë të mirë me klubin kur luan për kombëtaren?
Florent Muslija: Në futbollin ndërkombëtar zakonisht gjykohesh edhe nga fakti nëse po luan rregullisht me klubin. Unë kam një rol të mirë në skuadër dhe kam bërë paraqitje të mira në ndeshjet e fundit. Shpresoj ta sjell këtë formë edhe në kombëtare dhe madje ta përmirësoj.
FIFA.com: A është roli juaj në kombëtare ndryshe nga ai në klub?
Florent Muslija: Nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Unë e shoh veten si lider te Düsseldorf, por edhe në kombëtare, brenda dhe jashtë fushës. Jam në një moshë ku duhet të marr më shumë përgjegjësi. Ndoshta ndryshimi i vetëm është se te Düsseldorf kemi një skuadër shumë të re, ndërsa në kombëtare kemi shumë lojtarë me përvojë.
FIFA.com: Çfarë pret nga ju trajneri i Kosovës, Franco Foda?
Florent Muslija: Ai dëshiron që unë të marr përgjegjësi dhe e di që mund të jem lojtar vendimtar në ndeshje. Do që ta tregoj këtë në fushë. Natyrisht kërkon edhe ndihmë në fazën mbrojtëse dhe përpiqem të bëj maksimumin për t’i dhënë ekipit stabilitet dhe cilësi.
FIFA.com: Si e vlerësoni fushatën kualifikuese tani që ka kaluar pak kohë?
Florent Muslija: Ishte një fushatë shumë pozitive. Bëmë disa paraqitje të shkëlqyera dhe u zhvilluam edhe më shumë si ekip. Kemi krijuar një grup shumë të bashkuar dhe mbështesim njëri-tjetrin. Niveli ka qenë vazhdimisht i lartë dhe kjo është e dukshme për të gjithë. Ne duam të vazhdojmë në të njëjtën mënyrë dhe besoj se mund ta bëjmë.
FIFA.com: A ju shqetëson humbja e vetme kundër Zvicrës në ndeshjen e parë?
Florent Muslija: Këto gjëra ndodhin në futboll. Për fat ishte vetëm ajo ndeshje, përndryshe ndoshta nuk do të ishim në “play-off” tani. Fatkeqësisht nuk e nisëm mirë atë ndeshje dhe e humbëm para se të shkonim në pushim mes pjesëve. Megjithatë mund të jemi krenarë për atë që kemi arritur. Por puna jonë nuk ka mbaruar ende. Duam të kualifikohemi në Kupën e Botës dhe do të japim gjithçka për ta arritur këtë.
FIFA.com: Ju shënuat në barazimin 1-1 kundër Zvicrës. Si ndihesh të shënosh për vendin tënd?
Florent Muslija: Është një ndjenjë shumë e veçantë. Atmosfera në stadiumin tonë është gjithmonë fantastike. Të shënosh për vendin tënd, sidomos një gol kaq të rëndësishëm, të jep shumë besim dhe liri në lojë. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme.
FIFA.com: Cilat janë pikat më të forta të ekipit?
Florent Muslija: Jemi bërë një skuadër shumë solide dhe luajmë në mënyrë të qëndrueshme. Jemi të mirë në sulm dhe jemi përmirësuar shumë edhe në mbrojtje. Për shembull në ndeshjet kundër Suedisë, ndaj lojtarëve si Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak, nuk u dhamë pothuajse asnjë mundësi. Kemi lojtarë shumë inteligjentë në lojë, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm.
FIFA.com: Kosova ka treguar se mund të përballet me kundërshtarë më të fortë. A e shihni veten si “autsajder”?
Florent Muslija: Ne jemi një vend i vogël. Kundërshtarë si Suedia, Zvicra apo Sllovenia ndoshta nuk shqetësohen shumë për ne. Por ne kemi shumë zemër, pasion dhe cilësi në futboll. Kjo shihet në mënyrën si luajmë. Kemi treguar se mund të përballemi me ekipet e mëdha dhe kjo thotë shumë për ne dhe për vendin tonë.
FIFA.com: Sfida e parë është Sllovakia, pastaj ndoshta Turqia ose Rumania. Si i shihni shanset?
Florent Muslija: Duhet të fokusohemi vetëm te këto ndeshje, duke filluar me Sllovakinë. Duhet të japim gjithçka. Secili prej nesh duhet të japë 100%. Duhet të lëmë gjithçka në fushë dhe ta kuptojmë se çfarë mundësie e madhe është kjo për vendin tonë. Nëse e bëjmë këtë, kemi shanse të mira.
FIFA.com: Si është atmosfera te tifozët dhe çfarë do të thoshte për vendin nëse kualifikoheni?
Florent Muslija: Ka shumë entuziazëm, si te lojtarët ashtu edhe te tifozët dhe të gjithë njerëzit në Kosovë dhe jashtë saj. Ne e dimë sa të rëndësishme janë këto ndeshje dhe sigurisht do të bënim histori për një vend kaq të vogël. Është një ëndërr që e kemi të gjithë.
FIFA.com: Nëse Kosova kualifikohet, në Kupën e Botës do të përballeshit me Australinë, Paraguain dhe SHBA-të. Si tingëllon kjo?
Florent Muslija: Nuk kemi nevojë për më shumë motivim –e ndiejmë tashmë. Është një ndjenjë e papërshkrueshme kur mendon mundësinë për të luajtur në Kupën e Botës. Vetë mendimi për këtë të shtyn të japësh maksimumin dhe të luash futboll me shpirt.
