Deri më 25 mars afati për aplikim për logon dhe brendimin e “Prishtina 2030”

Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare (OCMG) “Prishtina 2030” ka shpallur thirrje publike për dizajnimin e logos dhe krijimin e “Brandbook”-ut për Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në kryeqytetin e Kosovës në vitin 2030.
Sipas njoftimit zyrtar, brendimi duhet të përfshijë logon me udhëzuesin për përdorimin e saj, si dhe adaptimin e saj në materiale promovuese, merchandising, objekte sportive dhe jo sportive, përfshirë aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, qendrën e mediave, qendrën e akreditimit dhe hapësira të tjera që lidhen me organizimin e ngjarjes.
Po ashtu, kërkohet edhe brendimi i mjeteve të transportit dhe stacioneve rrugore, si dhe prezantimi i identitetit vizual në qytetin e Prishtinës dhe në qytetet e tjera ku do të zhvillohen garat.
Në kuadër të projektit kërkohet edhe adaptimi i identitetit vizual në veshjet e stafit, vullnetarëve dhe kontraktorëve, ndërsa kompanitë mund të paraqesin edhe ide të tjera kreative që pasqyrojnë konceptin e brendimit për një ngjarje shumësportëshe si Lojërat Mesdhetare. Logoja duhet të jetë origjinale, e kuptueshme dhe e përshtatshme për përdorim në platforma të ndryshme, si në dokumente fizike ashtu edhe në paraqitje elektronike, ndërsa duhet të përmbajë edhe rrathët zyrtarë të Lojërave Mesdhetare.
Të drejtë aplikimi kanë kompanitë e dizajnit grafik dhe marketingut digjital që kanë së paku pesë vite përvojë në ofrimin e këtyre shërbimeve. Propozimet do të vlerësohen nga një komision profesional i themeluar nga Komiteti Organizativ i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, ndërsa vendimi final do të miratohet nga Bordi Ekzekutiv i ICMG. Në vlerësim do të merren parasysh kreativiteti i konceptit të logos me 45 për qind, implementimi i identitetit vizual me 30 për qind dhe oferta financiare me 25 për qind.
Propozimet duhet të dorëzohen në formë elektronike në adresën application@nockosovo.org
Afati i fundit për aplikim është 25 mars 2026 në orën 16:00.
