AAK prezanton Ardian Gjinin kandidat për kryeministër

AAK prezanton Ardian Gjinin kandidat për kryeministër

Skena politike në Kosovë po pëson një lëvizje të rëndësishme, ku në qendër të vëmendjes është vënë kryetari shumëvjeçar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Pas njoftimit se Ramush Haradinaj nuk do të kandidojë më për kryetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e as për mandatar për kryeministër, Gjini është konfirmuar kandidati kryesor për t’i marrë këto pozita.

I njohur prej vitesh si krahu i djathtë dhe numri dy i Haradinajt brenda partisë, ai tashmë është bartës i listës zgjedhore për kryeministër në nivel vendi, në zgjedhjet që priten të mbahen me 7 qershor.

Në opinionin publik dhe atë lokal, Ardian Gjini njihet si njeriu që ka transformuar  qytetin -Gjakovën. Ai e udhëheq këtë komunë që nga viti 2017, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale fitoi besimin e qytetarëve duke siguruar mandatin e tij të tretë radhazi. Gjatë qeverisjes së tij, Gjakova ka pësuar ndryshime të mëdha strukturore përmes qindra kilometrave rrugë të ndërtuara në qytet e fshat, unazave të reja rrugore dhe projekteve të shumta kapitale që e kanë kthyer atë në një model të qeverisjes lokale.

Kjo përvojë e gjatë menaxhuese vjen pas një rrugëtimi të pasur politik dhe institucional që Gjini e ka nisur herët. I lindur më 18 janar 1970 në Gjakovë, Ardian Gjini është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe një nga deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Shërbeu si anëtar i Grupit Politik Strategjik në bisedimet e Vjenës për Planin e Ahtisaarit dhe si anëtar i komisionit të parë kushtetues të Republikës së Kosovës. Ai ka mbajtur gjithashtu pozitën e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ka qenë deputet për dy mandate në Kuvendin e Kosovës, ku udhëhoqi edhe grupin parlamentar të AAK-së.

Krahas karrierës institucionale, Gjini mban titullin Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane nga Universiteti i Kentit në Canterbury, Mbretëri e Bashkuar. Për t’u fokusuar plotësisht në garën kombëtare dhe në zgjedhjet e brendshme partiake ku synon lidershipin e AAK-së, Gjini është liruar së fundmi nga detyra e kryetarit të degës së partisë në Gjakovë.

Ardian Gjini është i martuar, ka dy vajza dhe një djalë.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti